Ismet Toto, personazhi që nuk pajtohej me asnjë grimë të të kaluarës orientale

Publikuar më

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Në 100 vjetorin e lindjes së Ismet Totos, personazhit që nuk u pajtohej me asnjë grimë të të kaluarës orientale. Njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve…
Polemizoi deri edhe me Anton Harapin dhe Gjergj Fishtën, për idetë që ai kishte mbi klerin…

Iu bashkua lëvizjes për rrëzimin e monarkisë, por fati i tij ishte tragjik. Dha shpirt në trekëmbëshin e burgut të kalasë së Gjirokastrës në nëntor 1937

I projektuar në historinë e kulturës sonë kombëtare midis dy luftërave, emri i Ismet Totos i ngjan një meteori që vezulloi nëpër qiellin e murtyer shqiptar të viteve '30 vetëm për pak kohë. Bile për shumë pak kohë, po të mendojmë që jeta e tij nuk i kapërceu tre deakada dhe vepra që krijoi u shtri në kufijt' e shtatë viteve. Iku tepër i ri dhe mbeti përgjithnjë i ri. Kështu vjen dhe imazhi i tij këtë vit, kur ai mbush 100 vjetorin e lindjes. Bir i Labërisë trime, Ismet Toto lindi në Progonat të Kurveleshit, në një familje të njohur patriotike. I mëkuar dhe i brumosur nga ky mjedis, ai do të hynte me guxim në rrugën e jetës e të diturisë. Do të kryente shkollën teknike amerikane në Tiranë dhe do të ndiqte studimet ekonomike në Universitetin e Romës. Por më shumë se sa nga studimet shkollore, ai do të formohej si intelektual, brenda një kohe shumë të shkurtër, falë punës vetjake, mençurisë dhe vullnetit, etjes së pashuar për dije dhe guximit për të çarë drejt shtigjeve të pashkelura. Edhe detyrat administrative që kreu, apo misionet që iu ngarkuan kur shkoi në Gjermani e Itali, i shërbyen për të njohur jetën e për të zgjeruar horizontin intelektual. Frutet e kësaj pune këmbëngulëse dhe e synimeve serioze të talentit dhe aftësive të tij do të duken në mozaikun e shkrimeve që boton në shtypin e kohës si "Arbënia", "Illyria", "Minerva", "Ora", etj.

Krah mendimtarëve të rinj…

Emri i tij do të lidhet me lëvizjen e re mendore të kohës, që u shfaq në botën intelektuale shqiptare. Ai do të bëhet pjesë e plejadës së atyre mendimtarëve të rinj si B. Merxhani, V. Koça, etj. që do të frymëzonin dhe hidhnin themelet e neoshqiptarizmës. Kjo lëvizje me thekse iluministe, më shumë se me probleme të drejtpërdrejta politike të ditës u mor me çështje filozofike e sociologjike, etike dhe estetike, parë këto të lidhura ngushtë me synimin për të krijuar një mendim dhe kulturë të mirëfilltë shqiptare. Në këtë frymë, u ndërmorën studime serioze dhe u zhvilluan polemika, u krijuan vepra letrare, u bënë përkthime nga leteratura filosofike dhe sociologjike, u hodhën ura të reja me metropolet e qytetërimit evropian. Nga gjiri i kësaj lëvizjeje dolën publicistë e analistë të thukët, kritikë letrarë e shkrimtarë, që brenda një kohe të shkurtër u shquan, jo vetëm për talent e përgatitje profesionale, por dhe për interesa të gjera dhe erudicion, për guxim qytetar dhe prirje drejt dukurive të reja. Ismet Toto do të ishte më i riu në mes kësaj plejade, madje nga më të guximshmit dhe më prodhimtarët. Nuk është e rastit, që ai do të bëhet zëdhënës i brezit të ri, që do të flasë në emër të djalërisë e të inteligjencës së re, që duke i kthyer shpinën së kaluarës, guxon të shikojë përpara. Shqipëria do të shpëtojë, mendon ai, vetëm në qoftë se e merr në dorë djalëria dhe se vetëm ajo është në gjendje të investojë realisht "për të ndërtuar shtëpi me dritare të mëdha". Edhe sot tingëllojnë aktuale fjalët e tij se "…punët e Shqipërisë t'i marrin në dorë krejt të rinjtë e pastër, të pakorruptuarit, ata që janë intansigjentë në parimet morale të shtetit dhe të individit".

Idetë perëndimore

Ismeti i ri shtronte alternativën historike në se Shqipëria do të bëhej Zvicër apo Afganistan. Zgjidhja për të dalë populli nga prapambetja shekullore, sipas tij do të ishte "diktatura e ndritur" dhe shembull për këtë sillte Turqinë e Ataturkut, me të cilën hiqte paralele historike e sociale në mes saj dhe atdheut të tij. Pra, ishte fjala për oksidentalizimin e Shqipërisë ndaj ai dhe plejada e tij, të frymëzuar e të mbrujtur me idealet e perëndimit, kërkonin që shqiptarët të ndaheshin pa humbur kohë nga e kaluara orientale dhe të ndërtonin jetën dhe shtetin e tyre mbi themele evropiane. Këtë ideal fisnik, si i vetmi imperativ i drejtë historik, kish përqafuar Ismeti. Dhe brenda një jete të shkurtër, por tepër intensive, me një natyrë liridashëse e të revoltuar, me zikzake, por dhe me iluzione utopike, ai do të përpiqej e do të guxonte, përmes fjalës së mençur e të guximshme, të sillte kontributin e tij për emancipimin e shoqërisë së prapambetur shqiptare. Në shembullin e kulturës së ndritur të Perëndimit, në kulturën shqiptare duhej të përftohej, në kushtet e reja, një filozofi e moral kombëtar, një qytetërim shqiptar. Dhe për t'ia arritur kësaj, Ismeti me shkrimet e polemikat e tij u kundërvihet koncepteve dhe politikave anadollake, mentalitetit oriental, realitetit të përgjumur të kohës. Kryefjala e tij do të ishte ajo e një jete shoqërore dinamike, e zgjimit dhe vitalizmit shpirtëror të popullit, e lartësimit "të qytetërimit tonë të lashtë".


Ismet Toto me bashkëshorten Enveren
Antikomformisti

Ndonëse tepër i ri, ai manifeston një personalitet të admirueshëm, njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve, nga të cilat merr energji e forcë për aksionet emancipuese që lyp progresi i shoqërisë shqiptare. Në këtë përpjekje ai përdor të gjitha armët e kulturës e të artit me frymëzim oksidental, duke iu drejtuar bashkëatdhetarëve herë nga pozita e filozofit e herë nga ajo e sociologut, herë nga pozita e publicistit e herë nga ajo e shkrimtarit. Gjithnjë i hapur e serioz, kurajoz e i qartë, gjithë nerv, me vështrim nga e ardhmja.

Krijimtaria

Dhe duke qenë se punoi në disa fusha dhe trashëgimia që la pas i takon thuajse viteve të rinisë, nuk është e lehtë që vlerat e Ismet Totos t'i vesh në një emrues të përbashkët. E vërteta është se ai bëri emër të nderuar si gazetar e letrar, biograf e përkthyes, mendimtar dhe veprimtar aktiv. Shkroi artikuj me problematikë të gjerë, botoi prozë e poezi, zhvilloi polemika të rrepta, përktheu vepra filosofike, hartoi një biografi me vlerë. Një trashëgimi që mbeti në pjesën më të madhe e shpërndarë në shtypin e kohës dhe në dorëshkrim. Të vetmet libra që mbajnë emrin e tij janë polemika "Grindje me klerin" (1934), biografia origjinale "Gazi - Kemal Ataturku (1935) dhe përkthimi "Heronjt' e mendimit: Platoni" (1936). Një përmbledhje e shkrimeve publicistike-letrare dhe dokumentare, e përgatitur nga i vëllai, Selaudini, nën titullin "Bota e një djali kryengritës", fill pas çlirimit nuk arriti të shohë dritën e botimit, por u botua në vitet e demokracisë.
Kjo është e gjitha ç'la Ismet Toto, jeta e të cilit u këput në prag të moshës së burrërisë. E megjithatë e mjaftueshme për të përvijuar qartë personalitetin e tij, i cili meritueshëm i qëndroi kohës, aq të trazuar. Një individualitet, që rri në mes krijuesit dhe mendimtarit, një vepër ku shprehen harmonishëm tharmi filosofik me idealin kombëtar, mendimi qytetar me shprehjen artistike dhe publicistike. Dhe këto, të përshkuara nga fryma e humanizmit, me tone herë të buta e herë të serta, prapa të cilave ndjehet qëndresa dhe vendosmëria e paepur, një natyrë e fortë, që nuk zbrapset para pengesave e rreziqeve të çfardollojshme.

Letrari

Pasqyrë e këtyre mendimeve, e dallgëzimeve shpirtërore, e baticave dhe zbaticave nëpër të cilat kalon Ismeti janë skicat dhe vizatimet letrare, poezitë e prozat meditative, të cilat i botoi në pjesën më të madhe nën peudonimin Borealis, por dhe Arbërori, Spero, Tomorri, etj. Vështruar në tërësinë e veprimtarisë së tij intelektuale ato na duken më tepër intermexo poetik, që zbulojnë shpirtin artistik të autorit të ri. Sepse më shumë se sa me sentimente dhe mbresa nga jeta, ai do ta gatuante veprën e vet me ide dhe do të operonte me mendime që lypnin kurajo dhe angazhim qytetar. Të tilla do të jenë esetë filozofike e akoma më shumë publicistika. Kjo e dyta do të rrokë një gamë të gjerë problemesh, politike dhe sociale, kulturore dhe etike, gjë që ia ofronte realiteti i rëndë shqiptar. Mjafton përmendja e titujve që të krijohet një ide për shqetësimet e autorit: "Agonia e ideologjisë së vjetër", "Shigjeta në erë", "Melodia e kukuvajkave", "Shteti dhe shtypi", "Të heshtim?", "Organizma qeveritare dhe buka", "Plagët e bujkut", etj.

Polemisti

Ismet Totoja do të bënte emër si një nga polemistët më të zëshëm të kohës për guximin dhe mprehtësinë, inteligjencën dhe alternativën e mendimeve. Ai do të ndeshej në të gjitha krahët me kundërshtarët, bile dhe me kundërshtarë të kualifikuar dhe me autoritet siç qenë ata të klerit katolik. Mjaftoi artikulli i tij "Mistika e re" që shtypi klerikal i kohës t'i përgjigjej këtij djaloshi, që guxonte të prekte disa tabu. Në polemikën që u ndez u angazhuan deri Anton Harapi dhe Gjergj Fishta, por kjo nuk e pengoi Ismetin ta zgjerojë e thellojë mendimin dhe qëndrimin e tij kritik ndaj klerit. Ai nuk ishte ateist dhe as i mohonte vlerat e fesë, por mbante një qëndrim shkencor ndaj saj. Duke u mbështetur në filozofinë iluministe dhe në arritjet e shkencës, po dhe në përvojën e vendeve demokratike, ai s'kish si të mos kritikonte shfaqje të hipokrizisë dhe të dogmave fetare. Në jetën shpirtërore shqiptare, ai çmonte harmoninë midis feve, një shembull që populli shqiptar i jepte botës, por në këtë rast nuk mund të mos bënte thirrje për rreziqet që i kanoseshin vendit të prapambetur, i varfër e plot paragjykime siç ishte Shqipëria. Nga ana tjetër, në polemikën e tij ai kritikonte klerin për qëndrimet paternaliste që mbante në kulturën shqiptare apo arogancën që manifestonte. Libri i tij me këtë temë "Grindje me klerin" mbetet dhe sot një faqe reference e mendimit emancipues shqiptar midis dy luftërave.

Shqipëria... Zvicër apo Afganistan?

Ismeti i ri shtronte alternativën historike në se Shqipëria do të bëhej Zvicër apo Afganistan. Zgjidhja për të dalë populli nga prapambetja shekullore, sipas tij do të ishte "diktatura e ndritur" dhe shembull për këtë sillte Turqinë e Ataturkut, me të cilën hiqte paralele historike e sociale në mes saj dhe atdheut të tij. Pra, ishte fjala për oksidentalizimin e Shqipërisë ndaj ai dhe plejada e tij, të frymëzuar e të mbrujtur me idealet e perëndimit, kërkonin që shqiptarët të ndaheshin pa humbur kohë nga e kaluara orientale dhe të ndërtonin jetën dhe shtetin e tyre mbi themele evropiane.

Ditari

Shumë interesant paraqitet Ditari i Ismetit. Më shumë se me ngjarje të ditës, ai merret me mendimet, jeton në botën e tyre, shtegton nëpër lëmej dhe doktrina filozofike. Vihet në kërkim të idealit të vërtetë, përpiqet të njohë vetveten. Dhe nga ky proces, që shpesh kthehet në një polemikë me veten, lindin ide dhe mendime që të habisin për thellësinë dhe mprehtësinë e tyre, aq sa tingëllojnë si sentenca ("Jeta nuk është luftë, lufta është jetë", "Adhurimi i së kaluarës na bashkon me harmoninë qiellore", "Jeta e natyrshme është të rrojturit në pajtim dhe në harmoni të plotë me natyrën", "Tradita është sundimi i të vdekurve mbi të gjallët", "Tërmetet … një çast i bukur për njeriun që të kuptojë se sa i vogël dhe i kot është", "Të fitosh një zemër të madhe, domethënë se rron me vlerë në jetë", "Pendimi na përcjell gjer në varr", "Fytyra e njeriut është gjithçka. Shikoje dhe do të njohësh shpirtin"). Në ditar janë plot interes portretet që u bën N. Frashërit e Gj. Fishtës, por dhe B. Merxhanit, N. Çikës, etj. Aty zenë vend mendime për probleme si martesa, raportet me fenë e moralin, për çështje të mprehta sociale. Ndjehet gjithkund shpirti kritik dhe natyra e tij e trazuar.

Ataturkut...

Një vend të veçantë në trashigiminë e I. Totos zë jetëshkrimi "Gazi - Kemal Ataturku", një vepër që dëshmon për aftësitë e tij të shquara si biograf. Traditës sonë të varfër biografike iu shtua një vepër plot merita, si për nga niveli dhe serioziteti ashtu dhe nga ndërtimi i saj dhe vlerat tregimtare. Jetën e pasur të Ataturkut ai e dha në momentet kulmore, me tone të përmbajtura emocionale, me një gjuhë të bukur e të rrjedhshme. Libri u mirëprit nga lexuesi dhe kritika, siç u përshëndet dhe u vlerësua dhe nga vetë Ataturku. Janë këto merita të veprës, që e kanë bërë atë t'i qëndrojë kohës dhe të lexohet dhe sot me ëndje e përfitim. Figura e Ismet Totos nuk mund të konceptohet pa angazhimin e tij total në përpjekjet për një lëvizje mendore shqiptare. Një lëvizje, në të cilën ai nuk e shihte veten si njeri kabineti, po dhe si njeri aksioni. Vërtetë gjithnjë i etur për dituri, në kërkim të së vërtetës, tek burimet e ideve dhe mësimet e historisë, por dhe si një intelektual në veprim, për të cilin ishin të huaja heshtja, konformizmi, servilizmi. Luftëtar i lirisë së mendimit, adhurues i shkencës, armik i obskurantizmit, ai do të ishte në vijën e parë për një ndërgjegjë të lartë kombëtare, për një drejtësi shoqërore dhe për një shëndet shpirtëror të popullit të tij. Këtij qëllimi fisnik do t'i shërbente puna që nisi për të përkthyer veprën "Heronjtë e mendimit" të Y. Durantit, duke e filluar me Platonin e për të vijuar më pas me Volterin e kolosë të tjerë të mendimit.

Por kjo ndërmarrje e madhe, si dhe gjithë ai përkushtim aq i devotshëm, do të ndërpritej tragjikisht. Do të qenë mendimet liridashëse dhe revolta ndaj tiranisë, ato që do ta çojnë të bashkohet me lëvizjen kryengritëse, e cila synonte rrëzimin e monarkisë. Por fati i tij do të ishte tragjik. Gjithë ato aspirata humane dhe hove shpirtërore do të shuheshin në plutonin e trekëmbëshit në burgun e kalasë së Gjirokastrës një mëngjez nëntori të vitit të largët 1937! Para se të shkonte kryelartë drejt vdekjes, ai do të shkruante letrën e fundit, "De Profundis", ku në mes të tjerash, do të shënonte fjalët: "Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen". Kjo do të mbetej kredoja e këtij intelektuali kryengritës, që u përcillte brezave të rinj dhe që në 100 vjetorin e lindjes së tij na vjen e fuqishme dhe me një vërtetësi tronditëse.

30 janar, 1931
Nuk ka formë jetese më hipokrite dhe më të bastarduar se ajo e nëpunësisë. Të jetuarit me nëpunësi, e çdo fare qoftë, qeveritare ose private, shëmbëllen bukur me skllavërinë e Mesjetës. Për mua mjerë kush është nëpunës, doemos ata që kanë ndjenja e që çmojnë çdomethënë pavarësi personale.
Ah! ku është jeta e natyrshme! Të rrojturit në pajtim dhe në armoni të plotë me natyrën! Atë dhe vetëm atë jetë dëshëroni dhe kërkoni, se vetëm në atë ka diçka, që i shëmbëllen lumturisë.

31 janar, 1931
KHAYAM
Kur them Khayam, them Rubayatet e që të dy këta emra japin një kuptim.
Inat pate me Zotin dhe Zoti ty ta theu poçen! Profet i madh, por jo i Zotit. Ti erdhe, duket, pa lejen e tij. E sa të rrojnë njerëz mbi këtë dhé të vjetër, kujtimi yt do kalojë brez pas brezi. Pasqyra më e vërtetë e vërtetësisë së jetës.
Ah! Kape! Kape çdo gas e çdo dëfrim …
Se mëmëdheu do të të kapë, dhe porsa të kapë, s'të lëshon kurrë.

1 shkurt, 1931
LAHUTA
Origjinale dhe e dorës së parë. Derdhet si prej një katarakti shpirti i malësorit shqiptar.
Shumë kohë do të shkojnë përpara se të kemi një vepër letrare me kaq vlerë. Fishtat nuk vinë dëndur as ngjetkë e jo ndër ne.
Është një lavdi për ne një Patër Gjergj. Krenohemi me të. Është mjeshtër i artit poetik për ne. I pari mjeshtër dhe i dorës së parë. Është një fatbardhësi. Zoti t'i ngjatë jetën këtij plaku të artë.

1 shkurt, 1931
NAIM
Shkronjat që përbëjnë emrin tënd janë të ëmbla, të buta, të dashura, ashtu sikundër është shpirti yt.
Shpirt i madh! Nga ti mësova të dua Shqipërinë. Nga ti mësova të dua shqipen, nga ti mësova të njoh urtësinë. Naim, ti je i madh për ne, si një shpirt i madh dhe i shkëlqyer e në qiellin shqiptar do të jesh një yll i ndritur plot zjarr.
Atë i fjalës "shqiptarizëm", krijonjës i shqiptarëve. Kushdo që piu në kruan tënd, nuk u bë veçse shqiptar.

2 E hënë, shkurt 1931
Quo Vadis?
Dy janë teoritë: Koha dhe ritmi i punëve pjell një njeri të madh, ose aksidentalisht lind një njeri i madh dhe krijon një epokë të re.
Rasti ynë cili është? S'guxoj të mbështet në as njërën nga këto dy teori rastin tonë. Sidoqoftë një pyetje më çjerr shpirtin: Ku vemi kështu?

7 E shtunë, shkurt, 1931
O burra të dëfrejmë se shkuan ditët dhe erdhi pleqëria me të zezat e saj! Të zezat e pleqërisë m'i thotë një plak i urtë, që s'ka ditur të rrojë djalërinë.
Edhe qejfi është një hiç, por hiç është çdo gjë. Me anë të qejfit na kalojmë vetëm nga një hendek i madh me llum e me katran në kopshtin e lulëzuar të fantazisë.

Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja

Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli. Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse. Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s'ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë. Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë "abis", udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë. Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, "qava hallet", ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet "jetë", duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s'do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën.
(Shkruar në burgun e Gjirokastrës, në orën e ekzekutimit)

Këndonte

Jetë! Ah, jeta ime e zezë je
Shpirt, o shpirt, ti pse s'fle!
Gjaku im zien, buzët ngrinë si
lëndë
Zemra ime e dashur pse rreh
kaq rëndë?
***
Ai vdiq dhe unë mora
arratinë
Në kërkim të shpirtit tij me
ulërimë.
Në përpjekje me natyrën do
të shuhem,
S'dua tjetër dhe askujt unë
nuk i duhem.
***
Del pra! Del prej trupit tim, o
shpirt.
Ik në vend më të gëzuar e të
dlirë,
Se s'pati dhëmbje as zoti për
tynë
As njerëzit, po ik o i dashur,
për të harruar.
***
Dhe kur të dergjem qetë e
humbur në harrim
Pa gas, pa shpresë, pa jetë, pa
ndjenja, pa mendim,
Ahere ç'do të jem, thujamë, o
zot,
Se ëndërr përmbi ëndërr
shoh dhe s'kuptoj dot".

Gënjej?

Kur s'jam ai që dukem në të
parë,
kur qesh me zor se më vjen
për të qarë,
kur flas pa dashur, se dua të
mos flas,
kur rri i qetë dhe dua të
bërtas,
atëhere zemra ime është gati
të pëllcasë
dhe shpirti më nxin, vuaj pa
masë.
Dhe loti që pikon nga syri im,
më siguron se s'ka asnjë
shkëlqim
fati im në këtë jetë pa
mbarim.
15 maj 1929

Një mikut

Kur un' të zhdukem në
Hiçin
nga i cili erdha
ti mos u trand …vazhdo ec
më tutje
dhe nga kënga ime e
coptuar
të bësh një melodi
që brezi tjetër që po vjen
ta njohë të vertën madhëri.

Sentenca...

"Bota nuk është e atyre që
ngrohen. Bota është e atyre
që digjen"
"Jeta nuk është luftë, lufta
është jetë"
"Adhurimi i së kaluarës na
bashkon me harmoninë
qiellore"
"Jeta e natyrshme është të
rrojturit në pajtim dhe në
harmoni të plotë me
natyrën"
"Tradita është sundimi i të
vdekurve mbi të gjallët",
"Tërmetet … një çast i bukur
për njeriun që të kuptojë se
sa i vogël dhe i kot është"
"Të fitosh një zemër të
madhe, domethënë se rron
me vlerë në jetë"
"Pendimi na përcjell gjer në
varr"
"Fytyra e njeriut është
gjithçka. Shikoje dhe do të
njohësh shpirtin"
"…punët e Shqipërisë t'i
marrin në dorë krejt të rinjtë
e pastër, të pakorruptuarit,
ata që janë intansigjentë në
parimet morale të shtetit dhe
të individit".

Vetëvetes
(Miqve të mi tiranas)

Ngrehe një kështjellë
n'erë
Pa themel, pa një
mbështetje, pa kurrgjë.
Ca më tepër, për çdo
herë
Kërkove që pambaruar
ndonjë punë t'mos
mbetej më.
Dhe ditët kështu i
ngryse:
Gjithnjë punë, punë
natën, punë ditën plot
durim,
Kokulur, dhe ja re e u
përmbyse
I trishtuar, sepse ditët
do t'i shkoje në përtim,
Në përtimin e palypur
Të një vendi ku lodr' e
pija do të dehnin, o i
mjerë.
Dhe beso se për të hipur
M'atë vend ku pate qënur
nuk do të lënë asnjëherë.
Ditët ngrysi në vetmi
Me ankime, plot me ohe,
plot me lote, me rënkim.
Mos pandeh se nga
mendimi
Do gjësh zgjidhjen e
kësaj dacke që t'u dha pa
një
Shpërblim
Vetëm po munde vrapo
Dhe shko atje posht tek
shokët, ku taverna është
plot.
Tjetër send mos kërko
Veçse lodrën, veçse pijen,
ashtu si kushdo që lot,
Që lot, pin, dehet me pije
Për të ngrysur padëgjuar
ditët që po vijn' e shkojnë.
Jeto n'errësir' e hije
Deri sa për të shpëtuar
në një tjetër botë të
t'çojnë.
Jeto vetëm për tagji;
Hidhi barkut, jij i mirë
për të mos bërë kurrëgjë.
Jeto sikur bën magji
Të të kenë. Re viktim'
edhe pa dashur e nuk do të
shpëtosh më.
Qaj e qaj kurdo me lotë
Qaj për fatin tënd të zi
se kufomë që më të gjallë
Ti u bëre. Me veprimet e
ksaj bote
Ti i mjerë, i dënuar, i
vrerosur a s'je çmallë?
Mierva 1935

Komentet